GJUHA JONË SHQIPE
E ashpër, e vrazhdë, si populli i fuqishëm që e flet, por edhe plot shije e hijeshi, si frutat dhe lulet e malit ku flitet, gjuha shqipe – ndonëse e varfëruar nga një palëvrim shumë herë shekullor – është e aftë të shprehë, me një ndjenjë të mrekullueshme, nuancat, konceptimet më të holla e të mprehta të mendimit njerëzor.
Faik Konica (1875 - 1942)
Ç’është Besëlidhja?
Besëlidhja për Mbrojtjen dhe Përparimin e Gjuhës Shqipe është një nismë jofitimprurëse, që ka për qëllim të nxisë, të mbështesë dhe të rritë përdorimin e qëndrueshëm, të plotë dhe të saktë të gjuhës shqipe, si në të folur, ashtu edhe në të shkruar.
Çështjet me të cilat ne merremi
Huazime
Besëlidhja do të mbajë qëndrim tepër të rreptë ndaj huazimeve të pangulitura ose përgjithësisht të panevojshme, kur gjegjëset e tyre në shqip janë krejtësisht të zëvendësueshme me to.
Drejtshkrim & Gramatikë
Çështjet e gjuhësisë shqipe janë mjaft të ndërlikuara; shumë prej tyre ende të hapura. Megjithëkëtë, ne punojmë vazhdimisht për informim sa më të plotë të lexuesve tanë. Mirëpresim debatin dobiprurës dhe bisedat që çojnë gjuhën e zhvillimin e saj përpara.
Sintaksë
Sintaksa e shqipes, si ajo e çdo gjuhe tjetër, ndikohet nga të tjera gjuhë. Megjithatë, sot, veçanërisht prej anglishtes, sintaksa e shqipes po dëmtohet thellas. Ne punojmë për ruajtjen e saj dhe zhvillimin e kujdesshëm gjuhësor.
Të shprehurit
Bashkë me zhvillimet bashkëkohore, po ndryshon - shpesh në dëm të shqipes - edhe forma e të shprehurit në shqip. Ne do t'u mëshojmë formave të bukura shqipe ndaj atyre të huaja, të cilat, besojmë se e zhveshin gjuhën nga karakteri i saj kuptimplotë.
Të folmet e shqipes
Siç dihet, shqipja ka dy kryedialekte: gegërishten dhe toskërishten. Këto ndahen më tej në të folme krahinore. Ne besojmë se një gjuhë e shëndoshë jeton së bashku me gjithë dialektet e të folmet e saj. Shqipfolësit i takon moralisht t'i njohë themelet e çdo të folmeje, të njohë fjalë e shprehi prej këtyre, përballë së cilave mund të gjendet në përditshmërinë e tij, por jo vetëm.
Kulturë Gjuhe
Besëlidhja do të merret edhe me çështje të kulturës së gjuhës. Në këtë kënd do të trajtohen ngjarje historike, pjesëza të zhvillimit të gjuhës, e kështu me rradhë. Ne besojmë se kultura gjuhësore është e lidhur pazgjidhshmërisht me zhvillimin intelektual të një populli. Kështu, do të punojmë për të informuar shqipfolësit sa më mirë të jetë e mundur mbi aspekte të tilla, që në fund të fundit, kanë të bëjnë me vetë kulturën e tyre.
Çështje Gjuhësore
Çështjet e gjuhësisë shqipe janë mjaft të ndërlikuara; shumë prej tyre ende të hapura. Megjithëkëtë, ne punojmë vazhdimisht për informim sa më të plotë të lexuesve tanë. Mirëpresim debatin dobiprurës dhe bisedat që çojnë gjuhën e zhvillimin e saj përpara.
Përse një nismë për gjuhën shqipe?
Qëndrimi i Besëlidhjes mbi përdorimin
e Inteligjencës Artificiale
I nderuar lexues,
Besëlidhja për Mbrojtjen dhe Përparimin e Gjuhës Shqipe ende nuk beson se Inteligjenca Artificiale ka aftësinë ta mirëpërdorë gjuhën shqipe. Përgjatë kërkimeve të vazhdueshme kemi vënë re një sërë të metash, të cilat jo vetëm që nuk e respektojnë natyrën e gjuhës shqipe, por e dëmtojnë tepër. GJMGJ-të (Gjedhet e Mëdha Gjuhësore), si ChatGPT, nuk janë të afta të hartojnë tekste të sakta, të kujdesshme dhe të natyrshme për gjuhën shqipe.
Ju këshillojmë të MOS e përdorini Inteligjencën Artificiale veçanërisht për shkrimin e teksteve në gjuhën shqipe, pasi kjo, përveç gjuhës në tërësi, ju dëmton jashtëzakonisht ju dhe aftësinë tuaj shprehëse.
Besëlidhja vendos të mos mbajë qëndrim kundrejt përdorimit të Inteligjencës Artificiale në fusha të tjera.
Duke ju falënderuar,
Krerët e Besëlidhjes për Mbrojtjen dhe Përparimin e Gjuhës Shqipe.