Qëndrimi i Besëlidhjes ndaj huazimeve
1. Ç’janë huazimet?
2. Llojet e huazimeve
3. Ç’qëndrim të mbahet ndaj huazimeve?
4. A humbasin pjesë të kuptimit gjegjëset? Procesi i “çhuazimit”
5. Çfarë bën Besëlidhja për huazimet?
5.1.a. Fjalorët e huazimeve sipas fushave
5.1.b. Si funksionojnë fjalorët e huazimeve
5.2. Punime shkencore të lidhura me huazimet
Përmbajtja e Lëndës
Ç’janë huazimet?
Fjalën "huazim" (gjerm. lehnwort) për herë të parë e ka përdorur filologu gjerman, Verna Bets (Werner Betz), në vitin 1944, për të përcaktuar fjalë me prejardhje të huaj që ishin bërë tashmë pjesë e gjuhës gjermane. Duhet thënë se fjala "huazim" nuk është emërtimi më i saktë për këtë dukuri gjuhësore, pasi fjalët nuk merren hua. Gjuha "huadhënëse" nuk pret ta marrë fjalën mbrapsht. Megjithatë, ky emërtim ka mbetur sot, si në gjuhësi, edhe në jetën e përditshme, dhe është lehtësisht i kuptueshëm.
Edhe një fjalë kaq e përdorur si "huazim" është, në fakt, mjaft e vështirë për t'u përkufizuar. Kjo ndodh për shkak se gjuhët janë në zhvillim e ndryshim të vazhdueshëm, pasi vetë shoqëria njerëzore ndryshon shumë me kohën. Fjalët e huaja nuk hyjnë në të njëjtën mënyrë në gjuhë, nuk kanë të njëjtin vend (disa, themi ne në jetën e përditshme: "tingëllojnë si më të huaja", teksa disa të tjera jo). Për më tepër, fjalët e huaja ndryshojnë me kohën. Fjala "banane" mund të dukej shumë e çuditshme në kohën kur ky frut hyri në Shqipëri, ndërsa sot mund të duket si një fjalë tepër e zakonshme, pjesë e jetës së përditshme.
Nëse themi se huazimet në gjuhën shqipe janë "fjalë që nuk e kanë prejardhjen prej gjuhës shqipe", ndeshemi me vështirësi, sepse asnjë fjalë e asnjë gjuhe të sotme nuk ka lindur prej vetvetes. Frëngjishtja vjen prej latinishtes, finlandishtja prej proto-uralishtes, shqipja prej ilirishtes¹ etj. Sa më thellë shkojmë në histori, aq më e vështirë është të vërtetojmë – apo thjesht të kuptojmë – se si kanë qenë këto gjuhë të vjetra, si janë folur, dhe ç'pjesë të tyre gjejmë në gjuhët e sotme. Kështu pra, sipas përkufizimit që tentuam më sipër, na del se çdo gjuhë është 100% e huazuar. Po kjo shifër nuk na vlen. Jo të gjitha huazimet janë njësoj. Fjala "thika" (e ardhur prej ilirishtes, sika) nuk është njësoj si fjala kompjuter, e ardhur prej gjuhës angleze, computer. Atëherë paskemi të bëjmë me një veçanti: huazime që vijnë prej gjuhëve paraardhëse, dhe huazime që vijnë nga gjuhë të tjera, që nuk kanë lidhje as me gjuhën shqipe, e as me gjuhë nga të cilat shqipja ka rrjedhur ndër shekuj. Po mirë, a është njësoj fjala "qendër" me fjalën "inversion"? Të dyja vijnë nga latinishtja, të dyja janë huazime. Fjala "qendër", i tingëllon shumë më e pastër dhe e thjeshtë një shqipfolësi, sesa fjala "inversion". Kjo ndodh për arsye se fjala "qendër" ka hyrë shumë kohë më parë në shqip, dhe u është nënshtruar rregullave të saj, kurse fjala "inversion" është një huazim tepër i ri. Këto huazime tepër të reja, që nuk janë ngulitur në gjuhën "huamarrëse", Verna i quante "fjalë mike". Sot, gjuhësia i njeh me emrin "huazime të pangulitura". Por jo të gjitha huazimet e pangulitura janë njësoj. Fjala "inversion" shkruhet ashtu siç shqiptohet, kurse fjala "Wi-Fi", për shembull, nuk shkruhet siç shqiptohet. Fjalë të tilla njihen nga gjuhësia si huazime grafike (pra, që ruajnë trajtën e shkrimit nga gjuha "huadhënëse").
juhësia i ndan përgjithësisht kështu huazimet:
Huazime → fjalë
Kalke → fjalë a bashkësi fjalësh që vijnë të përkthyera fjalë për fjalë nga një gjuhë tjetër. P.sh., fjala "qiellgërvishtës" në gjuhën shqipe është kalke e fjalës "skyscraper" nga gjuha angleze: sky (qiell) + scraper (gërvishtës). Huazimi këtu është konceptual, pra ka të bëjë me kuptimin e fjalës. Fjalët qiell dhe gërvishtës janë pjesë e gjuhës shqipe, po me kuptimin e një ndërtese shumë të lartë, fjala qiellgërvishtës është kalke. Kalket janë, ndoshta mënyra më pak e dëmshme për të sjellë fjalë të reja në një gjuhë. Një mënyrë edhe më e mirë do të ishte krijimi i neologjizmave nga gjuhëtarë dhe njerëz që e njohin mirë gjuhën. Një shembull i këtij rasti është fjala "dritare", e krijuar si fjalë e re nga rilindësit. Për shumë kohë, në gjuhën shqipe është përdorur fjala "penxhere", e ardhur nga turqishtja e kohës osmane. Rilindësit e krijuan
Ngjasi → fjalë që kanë prejardhje të përbashkët. Këtu nuk kemi të bëjmë me huazim (asnjë gjuhë nuk ka marrë fjalë prej tjetrës), por të dyja gjuhët janë bija të një gjuhe më të vjetër. P.sh., babait në gjermanisht i thonë vater, kurse në anglisht father. Të dyja këto fjalë e kanë prejardhjen prej gjuhës latine (pater).
Çështjet që kanë të bëjnë me huazimet dhe përkufizimet e tyre bëhen edhe më të ndërlikuara me gjuhë që kanë të njëjtën prejardhje (p.sh., anglishtja dhe gjermanishtja), megjithatë, duke qenë se gjuha shqipe është degë e veçantë, dhe nuk ka gjuhë të tjera nga e cila rrjedh, apo gjuhë me prejardhje të përbashkët, nuk do të shqetësohemi për të tilla gjëra.
Huazim do të quhet çdo fjalë e cila nuk e ka prejardhjen prej gjuhës në të cilën përdoret ose prej ndonjërës prej gjuhëve nga e cila kjo gjuhë vjen.
A është huazim prej latinishtes fjala langue në gjuhën frënge? Jo, pasi gjuha frënge e ka prejardhjen prej latinishtes.
A është huazim në gjuhën gjermane fjala weekend? Po, sepse rrjedh nga anglishtja, edhe pse të dyja janë gjuhë gjermanike, fjala weekend ka hyrë në gjermanisht pas...
Shënime.
1. Ka disa teza mbi prejardhjen e gjuhës shqipe. Disa mendojnë se vjen prej ilirishtes, disa prej mesapishtes, disa prej trakishtes, teksa të tjerë thonë thjesht "nuk e dimë nga vjen". Gjuhësia shqiptare i qëndron tezës së prejardhjes ilire të gjuhës shqipe. Megjithatë, vlen të përmendet se gjuhësia ndërkombëtare nuk e pranon plotësisht si tezë, për shkak të provave të pamjaftueshme. Ky debat akademik nuk është "zgjdhur" ende, pra ka gjuhëtarë nga të dy krahët që nuk pajtohen me njëri-tjetrin.