Fletëdërgesë për Rubrikën “Shkrime”

Ju lutemi të lexoni me vëmendje dhe kujdes gjithë ç’është shkruar më poshtë, përpara se të vazhdoni me pjesën tjetër të fletëdërgesës:

I dashur shqipfolës,

Besëlidhja për Mbrojtjen dhe Përparimin e Gjuhës Shqipe falënderon çdo autor që shpreh dëshirën për të ndarë veprën e tij. Me këtë marrëveshje, kërkojmë veç të përcaktojmë në mënyrë të qartë dhe të hollësishme të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e ndërsjella mes jush si autor dhe nesh si Besëlidhje, për sa i përket dorëzimit, publikimit dhe përdorimit të shkrimit.

Dërgimi i veprës duhet të bëhet vetëm në rast se pajtoheni plotësisht me gjithë përmbajtjen. Në të kundërt, ju njoftojmë se nuk mund të jeni pjesë e rubrikës “Shkrime”.
Duke shtypur butonin në fund të këtij sqarimi, ju tregoni automatikisht se pajtoheni me gjithë ç’është parashtruar në këtë marrëveshje.

A. NË LIDHJE ME SHKRIMIN E DËRGUAR

I. Lloji i shkrimit

Autori është i detyruar të përcaktojë qartë natyrën e veprës së dorëzuar. Besëlidhja punon me katër lloje shkrimesh: ese/hartime, kritika, parashtrime gjuhësore dhe “të tjera” (ky lloj i fundit u përket shkrimeve që nuk janë as ese/hartime, as kritika, e as parashtrime). Besëlidhja i ndan shkrimet sipas këtyre katër bashkësive, për të ruajtur një farë rrjedhe të përbashkët për kexuesit. Për më tepër, çdo lloj teksti ka redaktorët përkatës, ndaj është e rëndësishme që të tregoni kujdes në përcaktimin e kësaj cilësie për shkrimin tuaj.

Neni 2 – Gjuha dhe përmbajtja

Besëlidhja nuk pranon në asnjë lloj rrethane tekste që:

  • përmbajnë gjuhë fyese, diskriminim të jashtëligjshëm (nga gjinia, raca, përkatësia fetare etj.) ose urrejtëse;

  • janë të papërshtatshme për paraqitje publike;

  • cenojnë dinjitetin, privacinë, ose të drejtat e personave të tretë;

Besëlidhja rezervon të drejtën të refuzojë, pezullojë ose ndalojë publikimin e çdo materiali që bie ndesh me këto parime, pa pasur nevojë t’ju japë shpjegime të mëtejshme mbi arsyen e refuzimit.

Neni 3 – Autorësia

Autori mund të zgjedhë mënyrën e publikimit të emrit:
a) me emër dhe mbiemër të plotë;
b) me pseudonim të përshtatshëm;
c) në mënyrë anonime.

Autorësia juridike e veprës mbetet plotësisht e autorit.
Besëlidhja nuk kryen asnjë ndryshim përmbajtësor pa miratimin e qartë dhe me shkrim të autorit.

Autori deklaron në mënyrë të pakthyeshme se është krijuesi i vetëm dhe ligjor i veprës, dhe se asnjë palë tjetër nuk gëzon të drejta bashkëpronësie, bashkautorësie apo pretendime ligjore mbi të.
Dorëzimi i një vepre nga një person tjetër për llogari të autorit lejohet vetëm me autorizim të shkruar të këtij të fundit, dhe nuk bëhet me anë të kësaj fletëdërgese, por me anën e një kërkese me shkrim drejtpërdrejt te Besëlidhja.

Neni 4 – Origjinaliteti dhe ndalimi i plagjiaturës

Autori deklaron dhe garanton se:

  • vepra është krijim origjinal dhe nuk përmban elemente plagjiature;

  • nuk shkel të drejtat e autorëve apo krijuesve të tjerë;

  • nuk është prodhim, përpunim apo përkthim i paautorizuar i ndonjë materiali ekzistues;

  • nuk është krijuar, as pjesërisht, nga programe të Inteligjencës Artificiale, si ChatGPT

Në rast konstatimi të shkeljeve të mësipërme:

  • Besëlidhja ka të drejtë të refuzojë publikimin ose ta heqë veprën nga çdo platformë ku ajo është publikuar;

  • autori mban përgjegjësi të plotë civile dhe, kur parashikohet nga ligji, edhe penale për çdo deklarim të rremë ose shkelje të të drejtave të palëve të treta;

  • bashkëpunimi me autorin mund të ndërpritet menjëherë;

  • në raste të rënda, Besëlidhja mund të ndërmarrë veprime ligjore në përputhje me legjislacionin shqiptar për të drejtat e autorit dhe pronësinë intelektuale.

Neni 5 – Përdorimi i burimeve

Autori është i detyruar të citojë çdo burim të përdorur, në përputhje me normat akademike dhe etike të citimit.
Ndalohen burimet që përmbajnë informacion të mbrojtur, privat, konfidencial, ose që shkelin të drejtat e autorit apo sekretet profesionale të palëve të treta.

B. NË LIDHJE ME TË DREJTAT

Neni 6 – Të drejtat e autorit

Autori ruan të gjitha të drejtat morale dhe pronësore mbi veprën e tij.
Megjithatë, me dërgimin e veprës dhe këtij formulari, autori i jep Besëlidhjes:

  • të drejtën joekskluzive, të pakthyeshme, pa afat kohor dhe pa shpërblim financiar,
    për publikim, shpërndarje, riprodhim dhe përdorim të veprës në çdo format apo platformë që Besëlidhja përdor,
    përfshirë: faqen zyrtare, rrjetet sociale, botime të shtypura, broshura, përmbledhje vjetore ose materiale promovuese.

Dhënia e këtyre të drejtave nuk përbën transferim pronësie intelektuale dhe nuk cenon të drejtën morale të autorit.

Neni 7 – Të drejtat dhe përgjegjësitë e Besëlidhjes

Me dorëzimin e veprës, autori pranon se:

  • Besëlidhja mund ta publikojë veprën pa kufizim kohe dhe pa detyrim shpërblimi financiar;

  • Besëlidhja mund të bëjë ndërhyrje minimale gjuhësore ose teknike për qëllime redaksionale, gjithmonë me njoftim paraprak të autorit, dhe gjithmonë pas miratimit nga autori;

  • vendimi për publikimin ose mospublikimin i takon ekskluzivisht redaksisë.

Besëlidhja nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen, opinionet apo pohimet e shprehura në vepër nga autori; përgjegjësia përmbajtësore dhe ligjore bie tërësisht mbi autorin.

Autori heq dorë nga çdo pretendim financiar apo juridik ndaj Besëlidhjes për publikimin, përpunimin grafik, formatin apo shpërndarjen e veprës, për sa kohë këto veprime kryhen në përputhje me këtë marrëveshje.

Neni 8 – Tërheqja e veprës

Autori mund të kërkojë tërheqjen e veprës vetëm përpara njoftimit të vendimit për publikim.
Pas publikimit, vepra mbetet pjesë e arkivës dhe platformave të Besëlidhjes.

Në raste të jashtëzakonshme (si shkelje e të drejtave të palëve të treta ose gabime etike), kërkesa për heqje mund të shqyrtohet nga redaksia.
Heqja e veprës nuk ka efekt retroaktiv dhe nuk ndalon përdorimin ose ruajtjen e versioneve të mëparshme të publikuara ose të shpërndara nga Besëlidhja.

C. NË LIDHJE ME TË DHËNAT PERSONALE

Neni 9 – Mbrojtja e të dhënave

Besëlidhja mbledh dhe përpunon të dhënat personale të autorit (si emri, mbiemri, adresa elektronike, etj.) vetëm për qëllime komunikimi dhe administrimi të kësaj marrëveshjeje.

Të dhënat ruhen me konfidencialitet të plotë, nuk shpërndahen, nuk tregtohen dhe nuk përdoren jashtë qëllimeve të kësaj marrëveshjeje, në përputhje me Ligjin Nr. 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar.
Nëse autori ndodhet ose vepron jashtë territorit të Shqipërisë, përpunimi i të dhënave zbatohet gjithashtu në përputhje me Rregulloren (BE) 2016/679 (GDPR), për aq sa ajo është e zbatueshme.

Ç. DISPOZITA PËRFUNDIMTARE

Neni 10 – Pranimi i kushteve

Duke dërguar këtë formular dhe veprën përkatëse, autori deklaron se:

  • ka lexuar, kuptuar dhe pranon plotësisht të gjitha dispozitat e kësaj marrëveshjeje;

  • është dakord që marrëveshja hyn në fuqi në momentin e dërgimit elektronik të formularit;

  • është i vetëdijshëm se mospranimi i kushteve e përjashton nga pjesëmarrja në rubrikën “Shkrime”.

Neni 11 – Juridiksioni dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve

Çdo mosmarrëveshje që mund të lindë nga interpretimi ose zbatimi i kësaj marrëveshjeje do të zgjidhet fillimisht me mirëkuptim dhe komunikim të drejtpërdrejtë ndërmjet palëve.

Megjithëkëtë, kjo marrëveshje rregullohet dhe interpretohet në përputhje me ligjet e Republikës së Shqipërisë.

Nëse zgjidhja miqësore nuk është e mundur, juridiksioni i vetëm kompetent për shqyrtimin e çështjes do të jetë Gjykatat Kompetente të Republikës së Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin shqiptar në fuqi.

Përzemërsisht,
Besëlidhja për Mbrojtjen dhe Përparimin e Gjuhës Shqipe.